Treni rikthehet në Tiranë; 90 mln euro për Tiranë-Durrës-Rinas !

Ministria e Transporteve ka vendosur të rikthejë stacionin e trenit në Tiranë, pasi zhvendosja e tij në Kashar ka ulur në mënyrë dramatike numrin e udhëtarëve. Projekti është pjesë e hekurudhës Durrës-Tiranë.

“Heqja e stacionit ka ulur me 60 për qind numrin e udhëtarëve. Kështu që nëse nuk e kthejmë nuk ka gjasa që hekurudha të funksionojë. Stacioni në Tiranë do të jetë vetëm për pasagjerë”, deklaron Thimio Plaku, Drejtor i Transportit, MTI.

Hekurudha Durrës-Tiranë dhe lidhja e re me Rinasin është një projekt me vlerë 90 milionë euro, që financohet nga BERZH-i, Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Qeveria shqiptare.

“Tenderi për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas pritet të bëhet brenda marsit të këtij viti. Paralelisht me këtë do të vazhdojnë procedurat për ndërtimin e Stacionit të Trenit në Tiranë dhe lidhjen që mungon me stacionin multimodal të Kamzës”, vijon Plaku.

Sipas Qeverisë stacioni i trenit do të ndërtohet tek ish-stacioni i vjetër në krah të bulevardit të ri dhe ai do të kushtojë 1.2 milionë euro së bashku me lidhjen deri tek stacioni multimodal në Kamëz.

Related Posts

About The Author

Add Comment