Shtetasi i Maqedonisë, merr 500.000 franga “social”, duke qenë pronar garazhi

Nga 1997 e tutje, familja e gjerë e të pandehurit ka marrë ndihmë sociale deri në 5,000 CHF në muaj, ndërsa për këtë nuk kishte të drejtë të paktën nëntë vjet

Të enjten, para Gjykatës së Lartë (kantonale) të Cyrihut ka qëndruar shtetasi 44 vjeçar zviceran me prejardhje nga Maqedonia. Ai ka pranuar që ka fituar më shumë se 300,000 CHF nga garazhi i tij i makinave dhe njëkohësisht ka marrë ndihmë sociale, shkruan blick.ch.

Vlera totale e përfitimit ka qenë disa qindra mijë franga, transmeton albinfo.ch. Ndërkaq, ai ka thënë se nuk dëshiron të shkojë në burg.

Kur çështja kishte arritur në gjykatë për herë të parë, vitin e kaluar, “Tages-Anzeiger” pati shkruar për një mashtrim “ndoshta unik”. Nga 1997 e tutje, familja e gjerë e të pandehurit ka marrë ndihmë sociale deri në 5,000 CHF në muaj, ndërsa për këtë nuk kishte të drejtë të paktën nëntë vjet. Sipas llogarisë së bërë, dilte se ai kishte përfituar pa të drejtë rreth 500 mijë franga. Atëbotë, në bankën e të akuzuarve qëndronte edhe gruaja e tij.

Gjykata e shkallës së parë pati folur qartë për çiftin, i cili kishte ardhur dekada më parë në Zvicër nga Maqedonia e Veriut: “Ata bënin jetë të mirë në ato vite, ishin në gjendje të blinin iPad, mobilje dhe biçikleta për fëmijët, një Mercedes për 63,000 franga”. Fitimi nga biznesi i automjeteve arrinte në më shumë se 300,000 franga.

Ai dhe bashkëshortja qenë dënuar nga Gjykata e Qarkut, në nëntor të vitit 2020, transmeton albinfo.ch. Ndërsa gruaja e pranoi dënimin e saj (dy vjet me kusht), burri i saj i cili një pjesë të dënimit e kishte efektive (me qëndrim në burg) – ishte ankuar një shkallë më lart.

Kështu, çështja përfundoi para Gjykatës së Lartë të Cyrihut dhe 44 vjeçari fitoi një mundësi tjetër për t’i shpjeguar motivet e tij.

Gjykata donte të dinte nëse i akuzuari punon ndonjë punë të rregullt. Përgjigja e tij ishte se “është duke kërkuar punë, por një punë të lehtë, mbase në hotelieri.

Meqenëse i akuzuari ka pranuar veprën, marrja në pyetje ishte e shkurtër. “Unë e kam bërë këtë për familjen time, nuk kisha para të mjaftueshme” ka justifikuar ai mashtrimin, trasnmeton albinfo.ch. Dhe ka shtuar: “Unë në të vërtetë kam dashur t`i raportoja të ardhurat shtesë”.

Avokati i tij mbrojtës u mor kryesisht me lartësinë e dënimit: Ai kërkoi një dënim me kusht prej 24 muajsh për klientin e tij. “Ai ka mbajtur burg për 182 ditë, gjë që ja ka bërë të qartë se sistemi shoqëror nuk është një dyqan vetë-shërbimi”. Për më tepër, sipas tij, familja nuk jetonte në luks.

Por, Gjykata nuk ka pranuar të zbusë qëndrimin. Akti ishte “i paskrupullt” dhe si i tillë “ka diskredituar pensionistët tjerë, të ndershëm”.

Gjykata e lartë ka konfirmuar aktgjykimin e gjykatës më të ulët: 33 muaj burgim për mashtrim në shkallë të gjerë, nga të cilët 12 muaj janë burg efektiv, përcjell albinfo.ch. Atij i mbetet të vuajë edhe gjashtë muaj të tjerë. Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm.

Related Posts

About The Author