Shkupi i ndezi “motorët”, trajneri Ardian Nuhiu flet për përgatitjet, përforcimet, synimet (Video)

“Motorët” i ka ndezur edhe skuadra e Shkupit. Trajneri Ardian Nuhiu ka grumbulluar futbollistët e tij për të nisur përgatitjet për pjesën pranverore të kampionatit. Në startin e përgatitjeve me arsye mungonin, Fisnik Zuka, i cili fatin e tij po e kërkon te Flamurtari i Vlorës, dhe Sedat Berisha, ndërsa është larguar nga skuadra sulmuesi Emmanuel Mbella.

23 pikët e fituara në sezonin vjeshtor i japin një lloj sigurie për mbijetesë, por në bazë të ndeshjeve të zhvilluara gjatë sezonit të parë Shkupi dëshmoi se mund të arrij edhe shumë më shumë.

“Në fillim ju uroj futbollistëve të kenë shëndet dhe një vit të mbarë. Punën që deri tani e kemi bërë mendoj që kemi shkuar mirë, por për të shkuar edhe më mirë duhet edhe më tepër punë. Objektivi i klubit mbetet ai ku jemi nisur. Nëse na jepet rasti për të marrë dicka më tepër gjatë ecurisë pranverore sigurisht se do ta shfrytëzojmë”, deklaroi trajneri Ardian Nuhiu.

“Kemi dy mungesa me arsye: Për momentin mungojnë Fisnik Zuka dhe Sedat Berisha, kurse sic e dini zyrtarisht vetëm Mbella është larguar nga ekipi. Primare për mua ka qenë të mbajë grupin dhe deri tani e kemi arritur”, theksoi ai.

“Jemi edhe në kërkim të përforcimeve, por hë për hë shumë vështirë gjenden futbollistë të lirë cilësorë që neve për momentin na hynë në punë”, bëri me dije Nuhiu.

“Deri më 22 janar do të jemi këtu në Maqedoni. Tani për tani në Antali kemi caktuar një ndeshje miqësore, por jemi në pritje edhe të caktimit të tre ndeshjeve përgatitore. Sic e kemi cekur është Qarabagh e caktuar, po presim të gjejmë edhe kundërshtarë të tjerë. Mendoj se gradualisht futbollistët do të marrim formën edhe sic është faza për tu përgatitur”, përfundoi trajneri Ardian Nuhiu.
Sezoni pranveror në ligën e parë të Maqedonisë do të filloj me 14 shkurt dhe deri atëherë futbollistët e Shkupit do të vrapojnë kilometra e kilometra. Ndoshta tani ata do të vuajnë, por në kampionat do të kënaqen duke luajtur futboll.

Related Posts

About The Author

Add Comment