Pushimet luksoze të kryeministrit Haradinaj në vendin më të shtrenjtë në botë, një darkë 6 mijë franga !

Një darkë natën e ndërrimit të viteve në hotelin ku ka pushuar kryeministri Ramush Haradinaj, ka kushtuar një mijë e 50 franga zvicerane.

Haradinaj ka qenë vetë i gjashti në darkën e vitit të ri në këtë hotel. Çmimi për gjashtë persona arrin mbi gjashtë mijë franga.

Çmimi për një mëngjes i publikuar në faqen e këtij hoteli ka kushtuar hiq më pak se 800 franga.

Haradinaj, së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit ka pushuar në hotelin “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër.

Qendra e skijimit në Saint Moritz është me e shtrenjta në botë. Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mesin e pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.

Aty, familja Haradinaj ka pushuar në këtë hotel nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018.

Dhoma më e lirë në këtë hotel për një natë është nga 1 mijë e 300 franga. Çmimet arrijnë deri në pesë mijë frang, për një natë.

Insajderi ka mësuar se kryeministri i një prej shteteve më të varfra në Evropë – Kosovës, është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga për shtatë ditë.

Haradinaj, së bashku me familjen është vendosur të martën e 25 dhjetorit rreth orës 12 në këtë hotel. Aty kanë qëndruar nëntë ditë.

Çmimet marramendëse

Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj për pushimet në fshatin luksoz në Zvicër. Por, bazuar në çmimet publike të hotelit, pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar rreth 80 mijë franga.

Pos familjes që ka pushuar në suitën “Czar” në hotelin “Carlton”, Haradinaj ka pasur me vete edhe mbrojtjen e afërme. Ata kanë qëndruar në dhomën me numër 43.

Të ardhurat mujore të kryeministrit Haradinaj nga paga, qiraja dhe paga e bashkëshortes që peshon 12 mijë e 400 euro në muaj nuk i mbulojnë këto shpenzime. Para të kursyera në bankë, Haradinaj ka deklaruar se i ka 20 mijë e 581 mijë euro.

Ndërkaq, të hyrat vjetore të Ramush Hardinajt dhe bashkëshortes janë të mëdha, mirëpo pushimet nëntë ditore për një familje gjashtë anëtarëshe në hotelin, “Carlton” në Saint Moritz kushtojnë sa të hyrat gjashtëmujore të kryeministrit.

Vetëm nga pagat, çifti Haradinaj merr rreth 69 mijë euro në vit, derisa nga qiraja e shtëpisë merr 73,469 euro në vit, apo gjithsej rreth 142 mijë euro në vit.

Insajderi ka pyetur Zyrën e kryeministrit se sa kanë kushtuar këto shpenzime në hotel “Carlton” dhe se kush i ka mbuluar.

Përgjigja e tyre ka qenë se meqë pushimet nuk kanë pasur karakter shtetëror, por privat nuk mund të përgjigjen.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Zyrës për komunikim publik të kryeministrit.

Insajderi ka kontaktuar me hotelin “Carlton” në Saint Moritz, por kanë zgjedhur të mos japin asnjë informacion rreth klientëve.

“Nuk mund të jap informacione. Askush nga [stafi] i hotelit nuk mund të flas për klientët tanë”, kanë thënë nga recepsioni i hotelit “Carlton”, për Insajderin.

Saint Moritz është fshat turistik në juglindje të Zvicrës, pjesë e Kantonit të Grisonsit. Ky fshat shtrihet në vargmalet Albula, me një lartësi prej 1 mijë e 800 metrave mbi nivelin e detit. Saint Moritz ka një popullsi prej rreth 5 mijë banorësh.

Fshati njihet si qendër e turizmit dimëror në Zvicër. Në Saint Moritz janë zhvilluar dy herë Lojërat Olimpike dimërore: në vitet 1928 dhe 1948.

Ndërkaq, hoteli “Carlton” është ndërtuar më 1913. Ka 60 suita me pamje nga liqeni. Lidhur me hotelin ekziston edhe një legjendë. Thuhet se është ndërtuar për të shërbyer si rezidencë e Carit të Rusisë, Nikolasit të Dytë.

Related Posts

About The Author

Add Comment